
Andin Hoti i kundërpërgjigjet ministres serbe: Kush bën thirrje për spastrim etnik dëshmon se Serbia s’është çliruar nga ideologjia e Millosheviqit
Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoti e cilësoi deklaratën si dëshmi se Serbia ende nuk është shkëputur nga ideologjia e regjimit të Millosheviqit.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”, ka shkruar Hoti.
Ai theksoi se deklaratat që nxisin spastrim etnik përbëjnë jo vetëm kërcënim për Kosovën, por edhe dëshmi të vazhdimësisë së politikave të së kaluarës në Serbi.
“Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka përfunduar Hoti.

