Bedri Hamza: Më 28 dhjetor e përcaktojmë drejtimin e Kosovës – kërkoj besimin për stabilitet dhe ndryshim

Bedri Hamza: Më 28 dhjetor e përcaktojmë drejtimin e Kosovës – kërkoj besimin për stabilitet dhe ndryshim

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë vendimtare për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar se vota e qytetarëve do të përcaktojë drejtimin në të cilin do të ecë vendi.

Në një adresim publik, Hamza ka kërkuar besimin e qytetarëve për t’i dhënë vendit “një qeveri stabile, të përgjegjshme dhe që i mban fjalët”.

Ai ka theksuar se Kosova aktualisht është e ngarkuar me kriza dhe pasiguri, ndërsa shpresa e të rinjve po zbehet çdo ditë. Sipas tij, vendi ka nevojë për një qeverisje që rikthen stabilitetin dhe besimin te institucionet.

“Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. A do ta kemi një qeveri stabile, që na bashkon dhe u shërben qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtat kriza e përçarje? Unë e zgjedh të parën, prandaj po kërkoj besimin tuaj”, ka thënë Hamza.

Ai ka premtuar qeveri me njerëz “të aftë dhe të ndershëm”, duke shtuar se është i gatshëm të udhëheqë me transparencë dhe përgjegjësi, me synim sjelljen e zhvillimit dhe mirëqenies.

“Ma jepni mundësinë të dëshmoj se ka udhëheqës që respektojnë fjalën e dhënë. Ka një Kosovë më të mirë përpara nesh – një Kosovë stabile, prosperuese dhe të mundësive për të gjithë”, u shpreh ai.

Në fund, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të “hapin një kapitull të ri për Kosovën, duke zgjedhur unitetin, stabilitetin dhe mirëqenien”.

Share This