BE diskuton përgjigjen ndaj sulmit në Leipzig, Kallas: Duhet të rrisim presionin ndaj Rusisë

BE diskuton përgjigjen ndaj sulmit në Leipzig, Kallas: Duhet të rrisim presionin ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian po diskuton reagimin politik ndaj sulmit të dështuar me dron në aeroportin e Leipzigut, për të cilin Gjermania ka fajësuar zyrtarisht Rusinë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se incidenti i muajit të kaluar “kishte të gjitha shenjat e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”. Kallas po drejton bisedimet joformale të ministrave të Jashtëm të BE-së në Ëickloë të Irlandës, ku në fokus do të jetë forcimi i masave ndaj Moskës dhe mbështetja për Ukrainën.

Sipas Kallas, sulmi duhet të shërbejë si një “thirrje zgjimi” për vendet që kanë vonuar mbështetjen për sanksione të reja ndaj Rusisë.

“Nëse duam ta përfundojmë këtë luftë, të gjithë duhet të përqendrojmë përpjekjet tona dhe ta çojmë në një nivel të ri”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, BE-ja dhe Franca kanë thirrur zyrtarë të lartë rusë për të protestuar lidhur me incidentin. Kallas tha se ministrat do të diskutojnë gjithashtu mënyrat se si BE-ja mund të rrisë ndihmën për Ukrainën, në një kohë kur, sipas saj, Rusia po përshkallëzon sulmet dhe po shkakton viktima civile.

Më vonë gjatë ditës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të takohet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Lufta në Ukrainë dhe incidenti në Leipzig pritet të jenë ndër temat kryesore të takimit.

Në të njëjtën kohë, autoritetet gjermane po hetojnë një tjetër incident të dyshuar ndaj infrastrukturës energjetike. Policia po heton një përpjekje për të ndërprerë furnizimin me energji në një nënstacion elektrik në Bergheim, në perëndim të Gjermanisë.

Një zëdhënës i policisë tha se autoritetet “nuk po supozojnë një dështim teknik, por një akt të qëllimshëm”. Autoritetet gjermane kanë rritur vigjilencën ndaj kërcënimeve të mundshme ndaj infrastrukturës kritike pas akuzave të Berlinit ndaj Rusisë për tentativën e sulmit me dron në aeroportin Leipzig/Halle muajin e kaluar. /rtsh/

Share This