Kurti në 27-vjetorin e Policisë thotë se Kosova është më e sigurt se asnjëherë më parë

Kurti në 27-vjetorin e Policisë thotë se Kosova është më e sigurt se asnjëherë më parë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne me rastin e 27-vjetorit të Policisë së Kosovës, ku ka vlerësuar punën dhe kontributin e këtij institucioni në sigurinë e vendit.

Kurti tha se themelimi i Policisë së Kosovës lidhet drejtpërdrejt me çlirimin e vendit dhe sakrificat e bëra për ndërtimin e institucioneve shtetërore, ka transmetuar Klankosova.

“Kosova është më e sigurt se asnjëherë më parë sepse Policia e shtetit është më e fortë se kurrë. Themelimi i policisë përkon me çlirimi e vendit tonë, me sakrifica e mund u ngrit ky institucion ku sot secili dhe secila që është pjesë e saj punon dhe kontribuon me dinjitet dhe përpikëri në çdo cep të vendit tërë kohën”.

Ai theksoi gjithashtu rolin e Policisë dhe institucioneve të sigurisë në luftimin e krimit të organizuar, sundimin e ligjit dhe shtrirjen e institucioneve shtetërore në veri të Kosovës.

“Krimi i organizuar dhe rrjetet kriminale, nuk kanë më vend në shoqëri demokratike sikurse e jona, falë edhe punës së palodhshme të institucioneve të sigurisë. Arritjet në sundimin e ligjit për paqe dhe siguri që rezultuan edhe me shtrirje të sovranitetit dhe mbrojtje të integritet territoriale po e shtojnë efikasitetin dhe zgjerimin e shërbimeve publike në veri të vendit”.

Kurti ka përmendur edhe kontributin e institucioneve të sigurisë në zbulimin e varrezave masive dhe mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës, duke vlerësuar se puna e Policisë mbart edhe peshë morale ndaj kujtesës kombëtare, viktimave dhe krimeve të kryera gjatë luftës.

Share This