Çantat e rënda rrezikojnë shëndetin e nxënësve

Çantat e rënda rrezikojnë shëndetin e nxënësve

Problemi me çantat e rënda për fëmijët e ciklit të ulët shkollor ende vazhdon në vendin tonë. Prindërit janë të shqetësuar për mundësinë e dëmtimit të shëndetit, derisa mjekët sqarojnë se pesha e çantave për fëmijët e ciklit të ulët nuk guxon të kalojë 10 deri në 15 për qind të peshës trupore të fëmijës.

“Me të vërtetë prej shtëpisë deri në shkollë kur unë e peshoj, e shoh që për mu është e rëndë ajo çantë e lëre më për fëmiun”, tha Ergit Qeli – prind.

Prindërit kërkojnë lehtësimin e çantave shkollore. Ngarkesa që fëmijët bartin çdo ditë përveq lodhjes mund të ketë ndikim edhe në shëndetin e tyre. “Fatkeqësisht çdo vit po vazhdon ky problem. Fëmiu im që tani është në klasë të pestë, prej klasës të parë e ka kështu çantën. Domethënë që pesë vjet është ky problem. Unë sa di edhe më herët, tash veç po e përjetoj për shkak se po i shoh fëmijtë e mi që çdo ditë janë me këto libra”, shtoi Qeli.

Nga shoqëria civile, Berat Thaqi thotë se diskutimet e deritanishme për uljen e ngarkesës ende nuk e kanë zgjidhur problemin.

“Konsideroj që një temë e tillë është ngritë edhe nga ana e institucioneve, po edhe nga ana e Këshillit të Prindërve, por ende duket se jemi larg realizimit të këtij qëllimi, pasi që ende vazhdojmë t’i shohim fëmijtë nëpër shkolla duke i bartë çantat me vete. E për më tepër, një gjë të tillë më së shumti mund ta vëreni kur shpeshherë pranë objekteve shkollore shohim një numër të lartë të prindërve të cilët shkojnë për t’i ndihmuar fëmijëve të tyre”, tha Berat Thaqi përfaqësues i OJQ-së ‘BCS’.

Sipas tij, çantat rëndohen nga disa tekste për të njëjtën lëndë, krahas fletoreve dhe mjeteve të tjera mësimore.

Mjekët sqarojnë se ngarkesat e rënda mund të shkaktojnë dhimbje dhe lodhje. Sipas tyre, më të ndjeshëm janë nxënësit e ciklit të ulët. Doktor Fisnik Vula shpreh shqetësim edhe për pasoja të mundshme afatgjata në qëndrimin e trupit.

“Pasojat mund të jenë afatgjata për shkak të posturës së trupit, faktikisht mund të shkaktohen lakime në boshtin kurrizor, të cilat mandej janë dikur edhe të pariparueshme”, tha ai.

Dhimbjet dhe lodhja që pengojnë përditshmërinë e fëmijës, sipas mjekut, janë ndër arsyet për të kërkuar kontroll mjekësor.

“Zakonisht simptomat të cilat e sjellin fëmiun tek mjeku janë dhimbjet. Ato të qafës e të shpinës janë më kryesoret të cilat shkaktojnë probleme tek fëmijët në mësim, në përqendrim, në lëvizje, në aktivitetet të tjera. Për atë arsye edhe kërkojnë ndihmën te mjeku”, tha Vula. Ai rekomandon që çanta të mos kalojë 10 deri në 15 për qind të peshës trupore të fëmijës. Në qoftë se një fëmijë i ka 30 kilogramë, atëherë çanta e tij nuk guxon të jetë më shumë se 3 kilogram deri 4 kilogram e gjysmë. Kjo është si normë ndërkombëtare për peshat e çantave. /RTK/

Share This