
Arsenal triumfon bindshëm në derbin e Londrës së Veriut, Eze shkëlqen ndaj ‘Spurs’
Arsenal ka regjistruar një fitore të madhe 4-1 ndaj Tottenham Hotspur F.C. në derbin e Londrës së Veriut, duke forcuar pozitat në garën për titull në Premier League dhe duke thelluar krizën e rivalit lokal, raporton Rekordi.net.
Skuadra e drejtuar nga Igor Tudor e nisi ndeshjen mes fishkëllimave të tifozëve vendas, por ishte Arsenali që dominoi posedimin në minutat e para. Radu Drăgușin ndali me sukses një goditje me kokë të Viktor Gyökeres, ndërsa Leandro Trossard rrezikoi nga distanca.
Pas disa rasteve të humbura, përfshirë një tentativë të William Saliba dhe një tjetër nga Trossard, “Topçinjtë” kaluan në epërsi pas gjysmë ore lojë. Bukayo Saka depërtoi bukur dhe shërbeu për Eberechi Eze, i cili reagoi shpejt për të realizuar.
Megjithatë, “Spurs” barazuan vetëm 24 sekonda pas rifillimit, kur Randal Kolo Muani përfitoi nga një gabim i Declan Rice dhe mposhti David Raya.
Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Xavi Simons testoi Rayën, por ishte Gyökeres që riktheu epërsinë për Arsenalin vetëm 90 sekonda pas startit të fraksionit të dytë. Një gol tjetër i Kolo Muanit u anulua për faull ndaj Gabriel Magalhães.
Eze vazhdoi formën e jashtëzakonshme duke realizuar sërish, duke e çuar në pesë numrin e golave të tij në dy derbit e fundit të Londrës së Veriut. Në fund, Gyökeres vulosi fitoren, duke siguruar tri pikë të arta për “Topçinjtë”.
Me këtë sukses, Arsenali rikthen epërsinë prej pesë pikësh ndaj Manchester City F.C., ndonëse me një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Në anën tjetër, Tottenham pëson humbjen e tretë radhazi dhe mbetet vetëm katër pikë larg zonës së rënies, duke humbur mundësinë për të përfituar nga disfata e fundit e Nottingham Forest F.C. ndaj Liverpoolit. /Rekordi.net


