
Analisti Maliqi: VV po rikthehet në origjinë, Kurti po synon Republikën e Tretë
Analisti politik Agon Maliqi ka reaguar përmes një postimi, duke komentuar zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai thotë se partia në pushtet, me gjasë, po rikthehet në origjinë, duke e shfaqur hapur agjendën për një “Republikë të Tretë” dhe kundërshtimin ndaj modelit aktual kushtetues.
Sipas Maliqit, ky rikthim është një formë “demaskimi politik”, që reflekton sinqerisht disponimin e një pjese të shoqërisë që kurrë nuk e ka pranuar kompromisin e vitit 2008. Ai e përshkruan këtë si një sinqeritet të imponuar nga rrethanat dhe nga mungesa e numrave për të qeverisur.
“Me fjalë të tjera, Kurti po thotë: ‘Tash që s’mi dhatë çelësat e shtëpisë me sundu vetë, unë ua kalli shtëpinë’”, shkroi Maliqi.
Ai shton se problemi i kësaj agjende politike është mungesa e një rruge të qartë për përballimin e pengesës ndërkombëtare:
“Realiteti është ai të cilin e kuptoi Thaçi, se alternativa e vetme ndaj modelit Ahtisaari është shteti etnik përmes korrigjimit të kufijve, opsion i cili u hodh poshtë”.
Maliqi ka qenë kritik edhe ndaj asaj që ai e quan segment “metropolitankash” dhe “guxoistësh”, të cilët sipas tij nuk kanë vizion pozitiv.
“Janë më qesharakët në këtë mes, sepse hem duan shtet monoetnik ku pakicat janë thjesht dekor kulturor, hem nuk duan bashkim kombëtar – pra kanë vizion ekskluzivisht negativ dhe refuzues”, ka shkruar ai.
Sipas analistit, ky grup shoqëror ka prioritet që në asnjë rrethanë të mos bie nën trinomin “katunarë”, “shkije” dhe “shqipniali”, ndërsa vizioni i tyre politik kufizohet brenda një kornize të ngushtë provinciale.
Maliqi përfundon se Kurti po e nxjerr hapur “klasën e mesme të ish-Jugosllavisë” si një kamp politik pa bosht, të cilin – sipas tij – do ta hedhë tutje sapo të mos ketë më nevojë për të.


