“Po të ngrinim një dolli së bashku…”/ U nda nga jeta dje, çfarë shkruante Rexhep Qosja për 90-vjetorin e Kadaresë: Pengu im njerëzor

“Po të ngrinim një dolli së bashku…”/ U nda nga jeta dje, çfarë shkruante Rexhep Qosja për 90-vjetorin e Kadaresë: Pengu im njerëzor

Një nga zërat më të mëdhenj të mendimit dhe letërsisë shqiptare, Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, kishte lënë pak muaj më parë një mesazh të ndjerë për mikun dhe rivalin e tij intelektual, Ismail Kadare, në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh.

Në atë mesazh, Qosja e përshkruante Kadarenë si një figurë madhore të kulturës shqiptare dhe botërore, duke theksuar se vepra e tij kishte kapërcyer kufijtë e gjuhës dhe kohës. Por përtej vlerësimeve letrare, mesazhi mbante edhe një ton thellësisht njerëzor.

Ai kujtonte marrëdhënien e tyre që nga vitet ’70 – miqësi, bashkëbisedime, por edhe polemika të forta intelektuale, sidomos për çështjen e identitetit shqiptar. Megjithatë, përtej mospajtimeve, Qosja nënvizonte se madhështia e Kadaresë qëndronte mbi çdo debat.

Një nga pjesët më prekëse të mesazhit ishte reflektimi i tij për një moment që nuk do të vinte kurrë, atë të dollisë së bashku në 90-vjetorin e lindjes.

“Këtë vit, në muajin qershor, edhe unë do bëhem 90 vjeç. Është e pamundur të mos mendoj sa domethënëse dhe sa njerëzore do të kishte qenë po të ngrinim një dolli së bashku për këtë moshë të rrallë, për këto dy jetë të kaluara mes librave, polemikave, dashurisë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Ndoshta kjo mbetet një peng i imi njerëzor, por jo një peng kulturor, qytetërues sepse dialogu ynë vazhdon nëpërmjet veprave tona”, thuhej në mesazhin e Qoses për të ndjerin Kadare.

Sot, kur lajmi për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosjes u bë publik, këto fjalë marrin një domethënie edhe më të fortë. Dy nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare nuk arritën ta ndajnë atë moment simbolik, por, siç shkruante vetë Qosja, “dialogu ynë vazhdon nëpërmjet veprave tona”.

Në kujtesën kolektive, ata mbeten dy shtylla të mendimit dhe letërsisë shqipe, shpesh në debat, shpesh në distancë, por gjithmonë në një dialog të madh kulturor që vazhdon përtej jetës.

/rtsh.al/

Share This