Altin Krasniqi: Babai im nuk e ka votuar Gjykatën Speciale – videoja e vitit 2013 është propagandë e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje

Altin Krasniqi: Babai im nuk e ka votuar Gjykatën Speciale – videoja e vitit 2013 është propagandë e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, ka reaguar ndaj, siç i ka quajtur ai, propagandave të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me qëndrimin e babait të tij, Jakup Krasniqi, për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se videoja e vitit 2013 që qarkullon në rrjete sociale nuk ka lidhje me Specialen, pasi në atë kohë po votohej një marrëveshje tjetër, ndërsa Gjykata Speciale është votuar në vitin 2015, kur Jakup Krasniqi nuk kishte asnjë funksion institucional.

“Babai im, Jakup Krasniqi, nuk e ka votuar Gjykatën Speciale. Ajo është votuar në vitin 2015, kohë kur ai nuk ka pasur asnjë funksion institucional. Propaganda më e madhe e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje është një video e vitit 2013, kur po votohej një marrëveshje krejt tjetër dhe jo Gjykata Speciale”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shtuar se sot nuk ka rëndësi pse është votuar Specialja, por thekson se e rëndësishme është që ky institucion t’u përmbahet ligjeve të Republikës së Kosovës dhe konventave për të drejtat e njeriut.

“Pavarësisht bindjeve politike, unë gjithmonë do të kërkoj drejtësi, sepse e di që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se UÇK-ja nuk i ka ikur kurrë drejtësisë, por gjithmonë i ka luftuar padrejtësit. Ne kërkojmë vetëm drejtësi, të bazuar në fakte dhe në standarde evropiane”, ka përfunduar ai.

Share This