Dita e Verës festohet në Elbasan dhe Tiranë me qindra qytetarë e turistë

Dita e Verës festohet në Elbasan dhe Tiranë me qindra qytetarë e turistë

Dita e Verës është festuar sot me atmosferë festive në Elbasan dhe Tiranë, ku qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, turistë të huaj dhe vizitorë janë bërë pjesë e aktiviteteve kulturore, artistike dhe argëtuese të organizuara në të dy qytetet.

Elbasani edhe këtë vit është kthyer në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës, mes ballakumeve tradicionale, atmosferës festive dhe koncerteve, duke bërë që qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe turistë të huaj t’i bashkohen kësaj atmosfere festive.

Prej ditësh tashmë qyteti ka veshur dekorin pranveror, ndërsa atmosfera magjike ndihet në çdo lagje të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga qyteti i Elbasanit, i cili është shndërruar në një skenë të madhe feste me koncerte, ekspozita, panaire, aktivitete për fëmijë dhe evente sportive.

Festimet për Ditën e Verës në Elbasan këtë vit kanë nisur zyrtarisht më 9 mars, duke sjellë një nga agjendat më të pasura dhe më argëtuese të aktiviteteve për qytetarët dhe vizitorët.

Dita tradicionale e festës sjell një program spektakolar nga mëngjesi deri në mbrëmje. Karnavalet e Ditës së Verës në sheshin “Gensher” hapën ditën me paradë dhe ngjyra festive.

Ndërsa Panairi i Zejtarisë vazhdon gjatë ditës me produkte artizanale dhe traditë vendase.

Po ashtu në sheshin “Gensher” do të zhvillohet eventi “Miss Lulja e Verës”, ndërsa aktiviteti “100 vjet Elbasan” do të organizohet në Lulishten e Trëndafilave, duke sjellë një moment simbolik për historinë e qytetit.

Eventi rinor “Summer Day Go Wild” shton energjinë dhe atmosferën festive në qytet.

Festimet do të kulmojnë me koncertin e madh festiv në sheshin “Gensher”, me artistët MC Kresha, Lyrical Son, Lorenc Hasrama, Anxhela Peristeri dhe DJ NOIIAN.

Ndërkaq, edhe Tirana është përfshirë sot nga atmosfera festive e Ditës së Verës, ku dhjetëra aktivitete kulturore, artistike dhe argëtuese po zhvillohen në zona të ndryshme të qytetit.

Që prej orëve të para të mëngjesit, mijëra qytetarë dhe vizitorë kanë dalë në sheshe dhe rrugë për të shijuar festimet dhe aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat përfshijnë rreth 50 aktivitete të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Në fillim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” është vendosur një ekran i madh ku prezantohen aktivitete që fokusohen te tradita shqiptare, përfshirë muzikën dhe veshjet popullore.

Po ashtu, përgjatë bulevardit dhe në zona të tjera të qytetit janë ngritur stenda panairi me produkte artizanale dhe gatime tradicionale.

Programi i aktiviteteve përfshin koncerte muzikore, performanca nga DJ, aktivitete sportive dhe hapësira argëtimi për fëmijët dhe familjet. Ndërkohë, në mbrëmje, pas orës 19:00, në zonën e Bllokut do të zhvillohen aktivitete me muzikë elektronike.

Për shkak të festimeve dhe aktiviteteve të shumta, në disa akse kryesore të kryeqytetit është kufizuar qarkullimi i automjeteve, sipas planit të masave të njoftuara nga Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës.

Sipas këtij plani, nga mbrëmja e 13 marsit, ora 22:00, deri sot në orën 18:00, qarkullimi është kufizuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel “Dajti”, në kryqëzimin e rrugës “Ismail Qemali”, kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi” dhe deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.  /atsh/

Share This