
Alonso: Ekipi është i bashkuar
Ditë të trazuara po kalon Real Madridi pas humbjes befasuese në “Santiago Bernabeu” ndaj Celtës dhe një serie rezultatesh larg pritshmërive.
Kritikat janë intensifikuar dhe trajneri Xabi Alonso ndodhet në qendër të vëmendjes, teksa sfida e nesërme ndaj Manchester Cityt të Pep Guardiolës shihet si vendimtare jo vetëm për pikët, por edhe për të ardhmen e tij në krye të skuadrës mbretërore.
Në konferencën e sotme për media, Alonso u shfaq i qetë, por i vetëdijshëm për presionin.
“Ky është një ekip dhe të gjithë jemi në të njëjtën barkë. Kur je trajner i Real Madridit, duhet të jesh gati t’i qasesh këtyre situatave me qetësi dhe përgjegjësi. Celta është pas nesh, tani ekziston vetëm City. Në futboll, gjërat ndryshojnë shumë shpejt”, tha Alonso.
Sa i përket zërave për shkarkim, trajneri madrilen deklaroi se fokusi i tij është 100% te ndeshja e radhës.
“Jam i përqendruar te City. Jemi të përgatitur mendërisht për gjithçka. Ekipi është i bashkuar dhe beson se mund të fitojë nesër. Për këtë, duhet të paraqesim një lojë të fortë, me ritëm dhe intensitet të lartë”, theksoi Alonso.
Në fund, i pyetur nëse skuadra është pas tij në këto momente të vështira, Alonso dha një përgjigje të shkurtër, por domethënëse: “Po.”
I gjithë presioni tani qëndron te përballja kundër skuadrës angleze, një ndeshje që mund të përcaktojë jo vetëm ecurinë e Real Madridit këtë sezon, por edhe të ardhmen e trajnerit spanjoll.


