
Alcaraz finalisti i parë i Australian Open 2026, mund Zverev në një duel epik
Carlos Alcaraz është finalisti i parë i Australian Open 2026, pasi ka triumfuar ndaj Alexander Zverev në një ndeshje dramatike, e cila u shndërrua më shumë në një betejë fizike dhe mendore sesa në një takim të zakonshëm tenisi.
Tenisti spanjoll nga Murcia e mposhti gjermanin në pesë sete, me rezultatin 6-4, 7-6, 6-7, 6-7 dhe 7-5, në një përballje që hyri në historinë e turneut për shkak të kohëzgjatjes së saj – 5 orë e 27 minuta lojë.
Ndeshja ishte e mbushur me ritëm të lartë, kthesa dramatike dhe rezistencë të jashtëzakonshme nga të dy tenistët, por në setin vendimtar ishte Alcaraz ai që tregoi më shumë qetësi dhe forcë mentale për të siguruar biletën për në finale.
Në rast se arrin të triumfojë në ndeshjen finale, Carlos Alcaraz do të kompletonte koleksionin e tij të titujve Grand Slam, pasi Australian Open mbetet i vetmi turne madhor që i mungon në karrierë.


