
Albulena Haxhiu: Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt tek familjet e tyre
Kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, mbajti fjalën e parë në sallën plenare, duke theksuar rëndësinë e sakrificës së madhe të popullit për liri dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“E sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së popullit për liri, përfshirë luftën çlirimtare të UÇK-së, dhe përkushtimin e grave e burrave që dhanë gjithçka për vendin. Historia e popullit shqiptar të Kosovës është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë për çlirim. Është e njohur kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë, të cilat janë dokumentuar dhe dëshmuar nga e gjithë bota. Krimet janë kryer nga Serbia, e cila nuk është përballur kurrë seriozisht me drejtësinë. Përkundrazi, kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt tek familjet e tyre dhe që këto procedura të prokurorisë të marrin fund sa më parë. Për këtë duhet të jemi të bashkuar”, tha Haxhiu.
Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi gjithashtu përkushtimin për transparencë dhe punë të palodhur në udhëheqjen e Kuvendit.
“Faleminderit për besimin që më keni dhënë për të udhëhequr legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Kam marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Ky besim do ta nderoj çdo ditë me punë të përditshme, me transparencë dhe përkushtim të plotë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.


