FSK avancon kapacitetet për mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV

FSK avancon kapacitetet për mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV

Forca e Sigurisë së Kosovës ka avancuar kapacitetet e saj teknike për mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV, përmes një trajnimi të zhvilluar me mbështetjen e Gardës Kombëtare të Ajovës së Shteteve të Bashkuara.

Trajnimi i titulluar “Maintenance Event” u zhvillua në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës, me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së dhe pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës.

Sipas FSK-së, trajnimi u mundësoi pjesëtarëve të saj të avancojnë njohuritë dhe aftësitë praktike në inspektimin, mirëmbajtjen, diagnostikimin dhe riparimin e sistemeve kryesore të automjeteve HMMWV.

Fokusi gjatë trajnimit ishte te transmisioni, sistemi i derivateve dhe sistemet elektronike të këtyre automjeteve.

Në kuadër të aktivitetit është zhvilluar edhe kapaciteti i instruktorëve të FSK-së, me qëllim që njohuritë dhe përvojat e fituara të përcillen edhe te pjesëtarët e tjerë të Forcës.

FSK-ja e ka cilësuar këtë aktivitet si një hap të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale, rritjen e efikasitetit në mirëmbajtjen e mjeteve dhe forcimin e bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Share This