
Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran, forcat amerikane godasin 5 cisterna iraniane, fundoset njëra prej tyre
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi forcat amerikane goditën pesë anije cisterna iraniane, duke fundosur njërën prej tyre. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet u ndërmorën në përgjigje të dy sulmeve iraniane ndaj një anijeje luftarake amerikane.
Katër cisterna iraniane nafte, të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), u vunë në shënjestër në Gjirin e Omanit, ndërsa një tjetër u godit pranë ishullit Kharg, një prej pikave kryesore të eksportit të naftës së Iranit. CENTCOM deklaroi se objektivat ishin pjesë e një “rrjeti hije” shumë-miliardë dollarësh, i cili, sipas palës amerikane, financon IRGC-në dhe grupet e saj aleate në rajon.
Një prej anijeve të goditura, M/T Riesco, u fundos në Gjirin e Omanit. CENTCOM publikoi gjithashtu pamje që pretendohet se tregojnë anijen e dëmtuar. Pas sulmeve amerikane, Irani lëshoi raketa drejt një baze amerikane në Jordani. Autoritetet jordaneze deklaruan se forcat e vendit rrëzuan 18 nga 20 raketat, ndërsa dy të tjera ranë në zona të pabanuara. Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte sulmuar dy anije amerikane, tetë cisterna nafte dhe 10 anije të tjera që po përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CENTCOM, sulmet iraniane ndaj anijes luftarake amerikane përfshinë përdorimin e raketave balistike, të cilat u neutralizuan. Ushtria amerikane tha se asnjë pjesëtar i trupave amerikane nuk u plagos. /rtsh/

