KESCO u bën thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike: Konsumi në nivele shumë të larta

KESCO u bën thirrje qytetarëve për kursim të energjisë elektrike: Konsumi në nivele shumë të larta

KESCO ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke theksuar se konsumi ka arritur nivele shumë të larta dhe sistemi elektroenergjetik është nën ngarkesë të vazhdueshme, kryesisht për shkak të ngrohjes me energji elektrike.

Përmes një komunikate për media, KESCO ka bërë të ditur se përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje po e rëndon ndjeshëm sistemin, ndaj ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për të ruajtur stabilitetin e furnizimit.

“Ngrohja elektrike, në veçanti, po e ngarkon ndjeshëm sistemin. Rekomandohet që të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndrohet, duke e mbajtur temperaturën në nivelin optimal 20–21°C”, thuhet në komunikatë.

KESCO ka theksuar se stabiliteti i furnizimit me energji elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për funksionimin normal të jetës së përditshme, por edhe për mbarëvajtjen e proceseve të rëndësishme shtetërore, përfshirë edhe procesin zgjedhor.

Po ashtu, kompania ka njoftuar se është duke operuar me kapacitete të shtuara, veçanërisht në Qendrën e Thirrjeve, për t’iu përgjigjur ankesave dhe kërkesave të konsumatorëve. Megjithatë, në rastet kur ndodhin ndërprerje që prekin një numër më të madh qytetarësh, volumi i thirrjeve rritet ndjeshëm, ndaj kërkohet mirëkuptim për vonesat eventuale në përgjigje.

KESCO ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me operatorët e rrjetit dhe të transmisionit, duke synuar informim të rregullt dhe transparent për situatën energjetike.

Në këtë kontekst, kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që:

të kursejnë energjinë elektrike,

të shmangin përdorimin e njëkohshëm të pajisjeve me konsum të lartë,

të përdorin ngrohjen me energji elektrike në mënyrë të moderuar.

Sipas KESCO-s, këto veprime të vogla nga secili konsumator kanë ndikim të madh në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në nivel vendi.

Share This