
Asllani është i Torinos, kalon vizitat mjekësore
Mesfushori i talentuar shqiptar, Kristjan Asllani, ka mbërritur sot në Torino ku ka kryer vizitat mjekësore në qendrën e Mjekësisë së Sportit, përpara se të zyrtarizohet si lojtar i ri i klubit “granata”.
Sipas medieve italiane, pas përfundimit të kontrolleve, 22-vjeçari do të udhëtojë drejt qendrës stërvitore në Filadelfia për të nënshkruar kontratën e tij me Torinon.
Marrëveshja është arritur në formën e një huazimi me pagesë prej 1.5 milionë eurosh, ndërsa klubi torinez do të ketë të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të Asllanit për 11.5 milionë euro.
Në orët e ardhshme, mesfushori i kombëtares shqiptare do t’i bashkohet skuadrës dhe do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Baroni për nisjen e sezonit të ri në Serie A.
Ky transferim shihet si një hap i rëndësishëm në karrierën e Asllanit, i cili kërkon të ketë më shumë minuta dhe të konfirmohet si një nga mesfushorët më premtues në elitën e futbollit italian.


