
Sasi e madhe armatimi gjendet në veri të Mitrovicës, Elshani jep detaje
Një sasi e madhe armësh të ndryshkura janë gjetur në bodrumin e një objekti në rrugën në Mitrovicën e Veriut. Nuk ka të arrestuar, ndërsa aktualisht po merret në pyetje një person.
Bëhet fjalë për granatahedhës, fishekë dhe gëzhoja, të cilat janë gjetur në bazë të një denoncimi nga qytetarët, shkruan Ballkani.info
Siç shihet nga pamjet e KoSSev, shiriti i verdhë i policisë u shtri fillimisht rreth ndërtesës dhe në vendngjarje ishin dy automjete të policisë. Në vendngjarje ka qenë edhe një ekip deminues nga EOD.
Ata kanë pastruar bodrumin ku janë gjetur armët dhe kanë konfiskuar sendet e gjetura.
Ndërkohë, shiriti i verdhë është hequr. Aktualisht është vetëm një patrullë e Policisë së Kosovës në terren.
Zëvendës komandanti për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se armët e gjetura ishin “potencialisht të rrezikshme”.
Ai tha gjithashtu se nuk është bërë asnjë arrestim, por një person është duke u marrë në pyetje, raporton ballkani.info.