Trump ka fituar zgjedhjet në SHBA, rikthim historik në Shtëpinë e Bardhë
Donald Trump ka fituar zgjedhjet në SHBA duke bërë një rikthim historik në Shtëpinë e Bardhë Republikani u tha turmave të gëzuara në Florida: “Amerika na ka dhënë një mandat të paparë dhe të fuqishëm”
Nga shtatë shtetet vendimtare, Trump fitoi Karolinën e Veriut, Gjeorgjinë, Pensilvaninë dhe Wisconsin dhe është përpara në Michigan, Nevada dhe Arizona.
Ndërsa Kamala Harris, do tu drejtohet mbështetësve të saj në Universitetin Howard, sonte më vonë ku pritet të pranojë humbjen.
Republikanët gjithashtu e kanë marrë kontrollin e Senatit nga demokratët pasi kanë fituar një sërë vendesh, por asnjëra palë nuk duket të ketë avantazhin sa i përket Dhomës së Përfaqësuesve, ku republikanët aktualisht mbajnë një shumicë të ngushtë.
Fitorja e ish-presidentit në shtetin e pa vendosur Wisconsin i dha atij mbi 270 vota të Kolegjit Elektoral të nevojshme për të fituar presidencën, duke e arritur më vonë në 279 vota elektorale kundrejt 223 të Harris-it me disa shtete që ende po numërohen sipas projeksionit të Edison Research.
Donald Trump prin ndaj Harris edhe me më shumë se 5 milionë vota popullore.
Ndjenjat amerikane janë ndarë që nga fitorja e zgjedhjeve të Donald Trump. Ndërsa republikanët janë gëzuar, mbështetësit e Harris ndjehen të indinjuar. Në Filadelfia, e cila është qartësisht me prirje demokratike, shumica e banorëve të qytetit u zgjuan sot në një humor të vrenjtur.
Thomas, banor në Filadelfia ka thënë se: ”Është një ditë e errët në Amerikë. Nuk e di nëse ky vend do të mbijetojë dhe do të shërohet ndonjëherë nga kjo. Është një ngjarje e tmerrshme, është tragjike, është një ditë e keqe për demokracinë, dhe një kthim prapa”.
Gene, banor në Atlanta ka thënë: “Epo, shpresoj që të gjithë të bashkojnë duart dhe të përqafojnë ndryshimet që do të ndodhin. Ndihem mirë tani pasi kam qenë shumë i zhgënjyer me Partinë Demokratike gjatë viteve të fundit”
Trump dhe zëvendësi i tij i ardhshëm, senatori amerikan JD Vance, do të marrin detyrën në ditën e inaugurimit, më 20 janar. Trump ka sinjalizuar se do t’i japë përparësi besnikërisë personale në stafin e administratës së tij. Ai i premtoi role në administratën e tij edhe Elon Muskut dhe ish-kandidatit presidencial Robert F. Kennedy Jr. /rtk/