Rrahmani e Korenica largohen nga LV-ja, zyrtarizojnë kalimin në “Listën për Familjen”
Deputetët e deritanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, kanë zyrtarizuar kalimin në “Listën për Familjen”, e cila udhëhiqet nga Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Dy deputetët Rrahmani e Korenica ishin kundër Kodit Civil dhe kohë pas kohe kishin bindje ndryshe nga partia e Kurtit.
Ish-deputeti i LV-së, Eman Rrahmani, ka treguar arsyen e largimit nga partia që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Rrahmani ka thënë se arsyeja e largimit të tyre ndërlidhet me Projekt-Kodit Civil, e largimin masiv të qytetarëve nga vendi. “Sot në këtë konferencë për media dua të shpreh mirënjohjen ndaj qytetarëve. Sot po bashkohemi në ‘Listën për Familjen’ dhe po bëhemi bashkë kundër Kodit Civil që cenon familjen. Përgjatë këtyre tri viteve kemi arritur të ndalim shumë iniciativa kundër familjes. Këto ligje kanë qenë të papranueshme dhe ndaj shteteve evropiane”, u shpreh Rrahmani.
“Kauza do të jetë në mbrojtje të familjes dhe u bëjmë thirrje që të na bashkohen edhe personalitete tjera shkencore e që kanë storie suksesi në jetën e tyre. Sot ju bëjmë thirrje qytetarëve që të bëhemi bashkë në mbrojtje të familjes”, ka thënë ai.