
“Thaçi 2”: Nis procesi për pretendimet për pengim drejtësie
Prokuroria e Specializuar ka paraqitur fjalët hyrëse në rastin e gjykimit të “Thaçit 2”.
Kësaj radhe, Hashim Thaçi vjen me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për fjalën hyrëse të Prokurorisë, e cila këta të pestë i akuzon për tentim pengimi të drejtësisë, raporton Klan Kosova.
Kimberly West e mori vetë fjalën gjatë së cilës, për ironi, tha se Thaçin e të tjerët i ndoqën penalisht sepse populli i Kosovës do që të shohë drejtësi në gjykatën e vet. Por, atë që nisi të premten, e lidh me procesin e madh të Speciales.
Për t’ia dëshmuar këtë gjykatës, Prokuroria e bombardoi dosjen me mbi 35 orë audio-incizime, nga të cilat si pjesë kryesore që nxori, nuk qenë as 10 minuta.
Bisedat në Qendrën e Paraburgimit mes Hashim Thaçit dhe vizitorëve të tij, përfshirë të bashkë-akuzuarit, nuk u pasuan me dëshmi tjera se rezultuan me veprime.
Mbrojtja u kujdes ta ngre këtë çështje në fjalën hyrëse të Bashkim Smakajt dhe Isni Kilajt, të cilët qenë të vetmit të prezantojnë deklarime fillestare.
Prokuroria nuk ka ftuar, e as ka pranuar pas kërkesës së mbrojtjes, që dëshmitarët që i pandeh si të ndikuar, Bislim Zyrapin e Rrustem Mustafën, t’i ftojë si dëshmitarë.
As ata që rrëfyen me masa mbrojtëse, si dëshmitari 4.
Meqë dëgjimi i dëshmitarëve të Prokurorisë synohet të marrë fund më 6 mars, dëshmitari i parë, nga tre sa janë thirrur, iu përgjigj pyetjeve të ZPS-së qysh të premten ndërkaq kundërpyetjet e mbrojtjes vazhdojnë më 2 mars.


