Komandanti iranian kërcënon Izraelin me kundërsulm të gjerë
Komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka kërcënuar Izraelin me një kundërsulm të gjerë nga milicitë aleate në rajon.
“Regjimi kriminal dhe terrorist sionist i Izraelit dhe mbështetësit e tij duhet të marrin në konsideratë zemërimin e grupeve të rezistencës”, tha gjenerali Hossein Salami, sipas faqes së internetit të IRGC, organizatës së fuqishme paraushtarake në Iran, e ngarkuar me mbrojtjen e qeverisë brenda dhe jashtë vendit.
Aleatët joshtetërorë të Iranit përfshijnë Houthi në Jemen dhe milicinë e Hezbollahut në Liban, si dhe milicitë besnike ndaj Iranit, në Irak dhe Siri.
Në një letër drejtuar liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, komandanti foli për hakmarrje të ashpër dhe të përgjakshme.
Salami shkroi se Izraeli do të duhet të paguajë një çmim të lartë për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe komandantit të Hezbollahut, Fuad Shukr.
Tensionet në rajon po rriten që kur Izraeli vrau Shukr gjatë një sulmi ajror në Bejrut. /rtsh/