
FSK demonstron profesionalizëm në “Saber Junction 26” në Gjermani
Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përfaqësuar nga një kompani e këmbësorisë të Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, mori pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, që është realizuar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels, Gjermani.
Në kuadër të ushtrimit, kompania e FSK-së, është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë Amerikane, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.
Sipas njoftimit, pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit adaptues, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, duke përfshirë operacione të sigurisë në mbështetje të zbarkimit ajror të batalionit, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.
“Pjesëmarrja në “Saber Junction 26” i mundësoi FSK-së të zhvillojë më tej aftësitë e komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe të rrisë ndërveprueshmërinë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere. Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh paraqet një mundësi të rëndësishme për testimin e aftësive në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere”, thuhet në njoftim.
Aktivitetet e kontingjentit të FSK-së u përcollën gjatë “Observation Day” nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci, së bashku me Rreshter Majorin e KFT-së, Naim Smakolli. Vizita shërbeu për të parë nga afër angazhimin, integrimin dhe performancën e pjesëtarëve të FSK-së gjatë ushtrimit.
Tutje theksohet se pjesëmarrja në ushtrime të këtij niveli kontribuon drejtpërdrejt në ngritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve të FSK-së për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe.

