Bie edhe Malisheva

Bie edhe Malisheva

Pas Dukagjinit dhe Ballkanit edhe Malisheva i ka dhënë fund rrugëtimit të saj në UEFA Conference League, pasi u eliminua nga Hiberniani në raundin e dytë kualifikues.

Skuadra kosovare kishte krijuar një epërsi premtuese prej dy golash në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë, por nuk arriti ta menaxhojë atë në sfidën e kthimit në Skoci. Hiberniani triumfoi me rezultat 4-1, duke siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-3.

Vendasit e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me Elding. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Passlack dyfishoi rezultatin, ndërsa Loëe realizoi golin e tretë në minutën e 35-të, duke i dhënë Hibernianit kontrollin e plotë të sfidës.

Në pjesën e dytë, Boye shënoi edhe golin e katërt për skuadrën skoceze në minutën e 57-të, duke e bërë edhe më të vështirë misionin e Malishevës.

Skuadra jonë arriti të zbusë humbjen në minutën e 83-të, kur Bajraktari realizoi golin e vetëm për mysafirët, por ai shërbeu vetëm për statistikë dhe nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin.

Me këtë rezultat, Malisheva i bashkohet Dukagjinit dhe Ballkanit, që gjithashtu janë eliminuar nga garat evropiane, ndërsa Hiberniani siguron një vend në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.

Share This