Krisje totale mes Vinicius dhe Realit, Bernabeu e ‘dënon’ brazilianin

Krisje totale mes Vinicius dhe Realit, Bernabeu e ‘dënon’ brazilianin

Një mbrëmje që duhej të ishte rutinë në “Santiago Bernabeu” mund të shndërrohet në pikë kthese për të ardhmen e Vinicius Junior te Real Madrid.

Stadiumi që shpesh e ka mbrojtur dhe duartrokitur, këtë herë i ka kthyer shpinën. Tifozët madrilenë e kanë vërshëllyer hapur brazilianin, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi vazhdimësinë e tij në klub.

Në minutën e 83-të të ndeshjes së fundit, kur Vinicius u zëvendësua, nga tribunat u dëgjuan vërshëllima të forta. Sulmuesi brazilian, që mbante shiritin e kapitenit në mungesë të Carvajal dhe Valverde, përshkoi të gjithë fushën për t’ia dorëzuar atë Courtois, nën një atmosferë të rëndë kontestimi.

Arsyet e pakënaqësisë së tifozëve janë të shumta. Disa nuk ia falin “agjërimin” prej 17 ndeshjesh pa gol, të tjerë kritikojnë sjelljen e tij në fushë dhe jashtë saj, ndërsa ka edhe nga ata që nuk e kanë harruar imazhin e Vinicius duke qeshur në stol pas humbjes në Kupën e Mbretit.

Sulmuesi nuk reagoi ndaj vërshëllimave, duke shkëmbyer vetëm një përqafim me trajnerin Xabi Alonso.

Megjithatë, reagimi i tij erdhi duke ushqyer zërat për një largim të mundshëm. Vinicius ka ndryshuar foton e profilit në Instagram, duke hequr fanellën e Real Madrid dhe duke e zëvendësuar me atë të kombëtares së Brazilit. Për më tepër, ai publikoi edhe një postim me shiritin e kapitenit, të shoqëruar vetëm me tri pika, një mesazh i hapur për interpretime.

Ky episod nuk duket thjesht si mbyllja e një viti të komplikuar për Vinicius Junior. Për shumëkënd, ai mund të jetë edhe sinjali i fundit i përfundimit të aventurës së tij me fanellën e bardhë të Real Madrid.

Share This