
Sulm me thikë në Paris, plagosen tre gra, një polic jashtë shërbimit neutralizon autorin
Një efektiv policie jashtë shërbimit arrestoi një burrë që sulmoi me dy thika kuzhine tre gra në Paris, duke i plagosur ato gjatë një sulmi të ndodhur paraditen e së hënës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, në zonën Porte de Clichy, në veri të kryeqytetit francez. Sipas ministrit të Brendshëm të Francës, Laurent Nuñez, tre gratë, të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç, u dërguan në spital për trajtim mjekësor.
Dy prej tyre pësuan plagë të rënda, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëra u godit në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa tjetra në bark.
“Autori u neutralizua dhe u arrestua nga një polic që ndodhej jashtë shërbimit,” deklaroi ministri Nuñez.
Identiteti i të dyshuarit dhe motivet e sulmit nuk janë bërë ende të ditura. Sipas ministrit, autori ka bërë “deklarata të paqarta dhe të pakuptimta”, ndaj autoritetet u kanë bërë thirrje publikut dhe mediave të mos nxitojnë në nxjerrjen e përfundimeve për motivin e ngjarjes.
Sulmi vjen vetëm dy ditë pasi një ekstremist islamik përplasi një furgon të marrë me qira mbi pjesëmarrësit e një parade të komunitetit LGBTQ+ në Berlin, duke vrarë një grua dhe plagosur 29 persona. /rtsh/

