
Protesta për Zvërnecin hyn në ditën e 20-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë
Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e saj të 20-të ku qytetarët janë mbledhur sërish në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij investimi.
Qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta, flamuj kombëtarë dhe duke shqiptuar parrulla kundër qeverisë dhe klasës politike.
Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve në shesh, lëvizja qytetare tashmë është strukturuar rreth pesë pikave të panegociueshme drejtuar autoriteteve:
Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Krijimi i një Qeverie Teknike.
Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike.
Anulimi i plotë i projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.
Gjithashtu, gazetarja e RTSH-së, Lusi Përgjegji e cila po ndjek nga afër protestën bëri të ditur se sot pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe.
“Ditën e sotme, në këtë ditë të 20-të, siç janë bërë edhe njoftimet në rrjete sociale, pritet që të ketë një pjesëmarrje pak më të lartë edhe nga diaspora shqiptare, të cilët i janë drejtuar vendit tonë për t’iu bashkuar kësaj proteste.
Ditën e sotme, por po ashtu edhe ditën e nesërme – duke qenë se është ditë fundjave, ajo e shtunës – pritet që të jetë një protestë me një pjesëmarrje pak më të lartë se ajo e ditëve gjatë javës.
Të paktën këto kanë qenë edhe ato që aktivistët dhe personat të cilët janë marrë me organizimin e protestës kanë deklaruar në rrjetet e tyre sociale”, u shpreh gazetarja Përgjegji.
Gazetarja vuri në dukje gjithashtu se edhe pse jemi në ditën e 20-të të protestës ende nuk ka një grup të mirëfilltë organizues të kësaj proteste.
“Ndërsa sa i përket kësaj proteste, duket që edhe pse kanë kaluar 20 ditë tashmë, ende nuk ka një grup të mirëfilltë organizues të kësaj proteste që të marrin atributet e gjithë këtij organizimi, por vijojnë ta quajnë atë një kauzë qytetare që ka mbledhur bashkë qindra qytetarë në sheshin përballë kryeministrisë, duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, por që nuk i atribuohet asnjë force politike”, nënvizoi gazetarja Përgjegji.

