
Rishikimi i pranisë së KFOR’it – Kroacia ‘‘ofron’’ rritjen e numrit të ushtarëve të saj në Kosovë
Kroacia po ofron të rrisë numrin e ushtarëve të saj në misionin e KFOR’it në Kosovë. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç, në një deklaratë për gazetarët në Bruksel, raporton “VecernjiList”. Në raportim thuhet edhe se, burime diplomatike të huaja thonë jozyrtarisht se disa aleatë evropianë kanë filluar të komunikojnë se si mund të kontribuojnë në mbushjen e boshllëkut që do të lihej pas një tërheqjeje të pjesshme amerikane nga Evropa
Ndërkaq, gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën (SACEUR), zbuloi një javë më parë se janë duke u hartuar plane për të zvogëluar madhësinë e misionit KFOR në Kosovë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte shpjegoi të mërkurën se numri i ushtarëve në Kosovë do të reduktohet nga 4,700 aktualë në nivelin që ekzistonte para vitit 2023, në rreth 3,000-3,500 anëtarë të KFOR-it. Por, megjithatë, Kroacia është gati të rrisë numrin e ushtarëve të saj në KFOR.
Sekretari i Luftës i SHBA-së, Pete Hegseth, u përsëriti dje kolegëve të tij në NATO se prania e SHBA-së në Evropë po zvogëlohet dhe se aleatët evropianë pritet të “angazhohen dhe të bëjnë pjesën e tyre”, dhe se SHBA-të do të “vëzhgojnë nga afër aleatët tanë dhe do të monitorojnë se kush nuk po e bën këtë dhe kush po thotë ‘jo’ ose ‘ndoshta’ ose ‘le të presim e të shohim’”, transmeton GE.

