
Autobusë elektrikë për transportin urban në kryeqytet
Ardhjen e 15 autobusëve elektrikë në kryeqytet dhe të 2 tramave e paralajmëroi kryetari Përparim Rama. Ai tha se këto mjete do të jenë moderne, më të qasshme për të gjithë dhe mbi të gjitha 100% elektrike.
Nga komuna thonë se kjo po bëhet në kuadër të procesit të transformimit të trafikut urban. Sipas tyre, me ardhjen e autobusëve të rinj do të ofrohet shërbim më i mirë e më efikas për qytetarët, ndërsa thonë se autobusët elektrikë pritet të jenë në funksion brenda një periudhe të shkurtër.
“Momentalisht janë modernizu, 26 autobusë, të operatorëve privat, janë duke u operu dhe duke ardhë këta 15, i kemi në modernizim e sipër edhe trafikun urban me 30 autobusë të tjerë”, tha Luftar Braha, Drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion.
Nga opozita në kryeqytet thonë se lidhur me pjesën e paralajmërimit për ardhjen e autobusëve elektrikë, nga komuna janë bërë shkelje ligjore.
“Ai ka bo shkelje ligjore, meqenëse nuk kem kurrfarë informate, as se kem pa kontratën, as nuk e dimë sa ka kushtuar çmimi , as nuk e dimë në çfarë mënyre e ka pru”, tha Enver Redenica, asamblist i VV-së në Prishtinë.
E ditë më parë, pikërisht ky njoftim për ardhjen e autobusëve shkaktoi një përplasje në distancë mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Sipas Muratit, ofrimi i shërbimeve publike, siç është transporti publik, mund të bëhet edhe përmes operatorëve privatë, siç po dëshiron ta bëjë Komuna e Prishtinës, mirëpo kjo gjë duhet të bëhet sipas procedurave që parashihen në Ligjin për Partneritet Publiko-Privat, për t’u siguruar që paraja publike nuk keqpërdoret. Sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, është në kundërshtim me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.
Këto deklarata nxitën reagimin e Përparim Ramës, i cili e quajti Muratin bllokues. /RTK/

