
Leipzig: Vetura përplaset me turmën, dy persona humbin jetën
Në qendrën e Leipzig, një makinë u përplas me një turmë njerëzish, duke lënë të paktën dy persona të vdekur dhe disa të plagosur.
Sipas policisë, automjeti depërtoi në një rrugë të frekuentuar duke u përplasur me njerëzit në qendrën e qytetit. Ngjarja ndodhi në rrugën Grimmaische, një rrugë tregtare që lidh disa pika të rëndësishme të qytetit me sheshin e tregut të Leipzigut.
Transmetuesi lokal MDR raportoi se dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa gazeta Bild raportoi për të paktën tetë persona të plagosur.
Policia e Leipzigut konfirmoi se ka të plagosur nga një automjet në lëvizje, por nuk dha më shumë detaje, ndërsa shkaku i ngjarjes ende nuk është i qartë.
Ndërkohë, në zonë po zhvillohet një operacion i madh policor dhe një shofer është arrestuar, njoftuan autoritetet, duke shtuar se do të japin përditësime të mëtejshme.
Një veturë e dëmtuar tip Volkswagen SUV, me një person mbi të, u pa duke lëvizur me shpejtësi në një zonë këmbësorësh, raportoi Radio Leipzig. Sipas dëshmitarëve të cituar nga media, disa trupa janë parë të mbuluar me çarçafë, si dhe është raportuar edhe për një sulm me thikë.
Si shumë vende të tjera evropiane, Gjermania ka përjetuar një seri incidentesh me përplasje makinash dhe sulme me thikë në vitet e fundit.
Vitin e kaluar, dy persona u vranë në qytetin Mannheim, kur një burrë 40-vjeçar përplasi makinën në një grup këmbësorësh, vetëm disa javë pas një sulmi të ngjashëm në një demonstratë sindikale në Munich, ku u vranë dy persona dhe u plagosën mbi 40 të tjerë, shumë prej tyre fëmijë, raporton rtk.
Në dhjetor 2024, disa persona u vranë në një sulm me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin Magdeburg. Ky incident ndodhi disa muaj pas një sulmi me thikë në një festival në qytetin Solingen.

