
Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të pabanuar në Varagë
Gjatë patrullimit dhe kontrollit në një shtëpi të pabanuar në Varagë të Zubin Potokut, njësitë e Policisë së Kosovës kanë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion.
Në shtëpi është gjetur një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, të mbushur me gjithsej 68 fishekë, dy uniforma të kamufluara, pajisje për pastrimin e armëve dhe një granatë dore, të cilën e ka tërhequr njësiti i EOD-së, thuhet në raportin 24 orësh të policisë, transmeton rtk.
Rasti është raportuar te prokurori dhe aktualisht është nën hetime nga autoritetet përkatëse.


