Murati: Ky buxhet do të duhej të ishte në fuqi më 1 janar

Murati: Ky buxhet do të duhej të ishte në fuqi më 1 janar

Ministri i Financave, Hekuran Murati sërish ka folur në Kuvend duke iu përgjigjur çështjeve që u ngritën gjatë diskutimeve në seancën plenare për buxhetin e Republikës.

“U tha pse kjo urgjencë se nuk ka nevojë. Në fakt ne jemi vonë. Ky buxhet do të duhej të ishte në fuqi më 1 janar, shteti do të duhej të kishte buxhet që nga data 1 janar”, tha Murati.

Murati ka shpjeguar pse buxheti nuk u rishikua, por para deputetëve u soll i njëjti që qeveria e kishte miratuar më 31 tetor të vitit të shkuar.

“Buxheti ky që ka qenë i miratuar me datën 31 tetor, sepse po të hynim në procesin e rishikimit rrezikonim sinqerisht të mbesnim pa buxhet, sepse ju po e shihni se ka procedura tjerat, janë ministrisë e linjës të cilave duhej dërguar një qarkore e re, do të ishin stafi i buxhetit që gjithashtu ka procedurat e veta për të përpiluar këto 700 faqe, që po i shihni, sepse aq sa është vështirë për t’i lexuar e shqyrtuar, ka një punë edhe tek përpilimi i buxhetit”, tha ai.

Ministri i Financave u përgjigj edhe rreth kritikave që pati nga deputetët opozitar për buxhetin e komunave.

“Ne buxhetin e kemi proceduar ashtu siç kanë qenë tabelat e përditësuara deri të mërkurën, ato komuna që kanë arritur ta miratojnë buxhetin dhe ta përfshijnë në sistem. Një gjë është akti administrativ i miratimit në Kuvendin Komunal, gjë që e ka bërë komuna e Prishtinës me 6 shkurt po ka qenë ditë e premte, e shtune e diele ka qenë pushim, dy ditë të tjera nuk kanë arritur që t’i përfshijnë tabelat në sistemin e buxhetit i cili pastaj kur eksportohet, eksportohet si i tërë dhe prodhohen këto tabela. Ne kemi proceduar, sepse nuk ka qenë vetëm Prishtina, sepse është edhe komuna e Shtimes që nuk e reflektuar këtu, për ta hequr çfarëdo dileme që po pretendohet se ka të bëjë me politikë. Është thjesht procedurë, pra është komuna e Prishtinës, Shtimes dhe Zubin Potokut. Kjo nuk nënkupton se ato buxhete nuk mund të përfshihen”, tha Murati, raporton rtk.

Ministri sqaroi se shanse tjetër për t’i përfshirë në paketën e ligjit është në mes të të dyja leximeve.

“Ndoshta kryetari i Prishtinës po të ishte kaq i zellshëm të punonte fundjavave aq sa është i zellshëm të mbajë konferencë për media gjatë fundjavave nuk do ta kishim këtë problem. Kjo çështje mund të rregullohet mes të dyja leximeve, për të gjitha komunat që arrijnë ta përfshijnë  në sistemin e buxhetit”.

Share This