
Sekuestrohen armë dhe kokainë në Mitrovicë
Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë automatike, një pistoletë dhe substanca narkotike gjatë një operacioni të zhvilluar më 12 shkurt në Mitrovicë.
Një person i dyshuar është ndaluar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë-Jug.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve relevante në terren.
Rreth orës 17:40, në parkingun e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, është ndaluar për verifikim një person i dyshuar. Gjatë kontrollit trupor atij i janë gjetur tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 0.99 gram.
Me autorizim të Prokurorit Kujdestar të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, është kryer kontroll në banesën e të dyshuarit. Gjatë kontrollit është gjetur një armë e gjatë automatike me një karikator që përmbante 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, si dhe një pistoletë me një karikator të zbrazët.
Armët dhe substanca e dyshuar narkotike janë fotografuar, evidentuar dhe sekuestruar nga njësia e Krimteknikës Rajonale.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.


