Daut Haradinaj: Mbështetje e gjerë për AAK’në në gjithë Kosovën për ndryshim dhe bashkim qytetar

Daut Haradinaj: Mbështetje e gjerë për AAK’në në gjithë Kosovën për ndryshim dhe bashkim qytetar

Kandidati për deputet nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numër 50, Daut Haradinaj, ka deklaruar se gjatë takimeve të zhvilluara në disa qytete dhe komuna të Kosovës ka ndjerë një energji të fuqishme qytetare dhe një dëshirë të qartë për ndryshim.

Përmes një postimi, Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë fushatës elektorale ka vizituar Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn, Istogun, Pejën, Deçanin, Suharekën, si dhe fshatra, lagje, shtëpi, biznese dhe rrugë të ndryshme anembanë vendit. Ai ka theksuar se përkrahja e qytetarëve në çdo takim ka qenë obliguese dhe motivuese.

Sipas Haradinajt, kudo që janë takuar me qytetarë, është vërejtur qartë dëshira për ndryshim, ndërsa janë dëgjuar nga afër shqetësimet dhe brengat që qytetarët përballen çdo ditë. Ai ka nënvizuar se AAK-ja synon të qëndrojë pranë secilit qytetar, pa dallim.

“Bashkë do ta realizojmë, pikë për pikë, atë që e duam për atdheun tonë. Nuk kemi atdhe tjetër,” ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se ky bashkim dhe kjo frymë nuk janë vetëm fitore për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por për gjithë Kosovën, për dinjitetin e saj dhe për të ardhmen që, sipas tij, u detyrohet brezave që vijnë.

Në fund, Haradinaj ka bërë të ditur se takimet me qytetarë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në qytete, fshatra dhe lagje të tjera, në kuadër të angazhimeve të tij elektorale.

 

 

Share This