
Allegri i zhgënjyer me humbjen nga Napoli: Nuk ishim në nivelin e duhur
Brenda dy javësh, nga 4 deri më 18 dhjetor, Milani i Massimiliano Allegrit ka mbyllur llogaritë me të gjitha garat jashtë kampionatit.
Eliminimet nga Kupa e Italisë dhe Superkupa kanë nxjerrë në pah të njëjtën skuadër: të varfër në ide, të shpërqendruar dhe me probleme serioze në fazën mbrojtëse.
Trajneri kuqezi u shfaq i nervozuar gjatë ndeshjes, ndërsa pas përfundimit të saj pranoi se skuadra nuk ishte në nivelin e duhur përballë Napolit.
“U përballëm me një Napoli të fortë, por duhej të vepronim më mirë te golat e pësuar. Ata ishin më të organizuar se ne në fazën difensive. Duhet ta analizojmë ndeshjen, sepse pësuam gola në situata ku duhej të mbronim më mirë”, deklaroi Allegri.
Tekniku italian theksoi se Milani po pëson gola shumë lehtë në ndeshjet e fundit dhe se kjo është një sinjal alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm.
“Në ndeshjet e fundit kemi pësuar shumë lehtë. Humbja e sotme duhet parë si një mundësi për t’u ringritur. Tani duhet të fokusohemi te kampionati. Në pjesën e parë kishim disa raste të mira, por duhej të sulmonim më shumë zonën”, shtoi ai.
Allegri preku edhe çështjen e skemës mbrojtëse, duke kërkuar qetësi dhe duke mos e dramatizuar situatën.
“Kur pëson gola në tri ndeshje radhazi, duhet rishikuar mënyra si mbrojmë. Por një ndeshje nuk mund të hedhë poshtë punën e tre muajve. Vetëm me qetësi mund të arrijmë objektivin tonë: renditjen në katërshen e parë. Dhe nuk do të jetë aspak e lehtë”, theksoi ai.
Pas daljes nga garat e Kupës, Milani tani e ka të gjithë vëmendjen te Serie A, ku synimi kryesor mbetet sigurimi i një vendi në Champions League për sezonin e ardhshëm.


