Presidenti Ademi: Urime FC Drita arritja historike

Presidenti Ademi: Urime FC Drita arritja historike

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka uruar FC Dritën për kalimin në fazën e ‘play-off-it’ në Ligën e Konferecës.

Numri një i futbollit tonë, përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale, ka thënë se Drita ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit kosovar.

Ky është postimi i Ademit:

FC Drita ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit kosovar, duke u bërë klubi i parë që kalon fazën e ligës në UEFA Conference League dhe siguron kualifikimin në “play-off” të fazës nokaut.

Ky sukses nuk është i rastësishëm, por fryt i punës së palodhshme të stafit të trajnerëve, investimeve të drejtuesve të klubit dhe përkushtimit e karakterit të treguar në fushë nga ana e futbollistëve.

Edhe pse përballja e fundit ndaj një rivali të fortë si Rayo Vallecano në Madrid nuk përfundoi me rezultat pozitiv, performanca e përgjithshme me 8 pikë të grumbulluara dëshmon pjekurinë e skuadrës sonë kampione në këtë nivel të garave evropiane.

Ky sukses i Dritës e rrit pashmangshëm prestigjin e Superligës sonë dhe shërben si shembull dhe motivim për të gjitha klubet e tjera kosovare.

Përgëzime të sinqerta futbollistëve, shtabit teknik dhe drejtuesve të klubit; Ju jeni ambasadorët më të mirë të kampionatit tonë dhe rritjes së pandalshme!

Një urim i përzemërt shkon edhe për KF Shkëndija të Tetovës që po ashtu siguroi kualifikimin në “play-off”. Suksesi i secilit klub shqiptar në Evropë na gëzon dhe na jep ndjenja krenarie.

Share This