Trepça mposht Yllin në një sfidë dramatike, Bashkimi i shkakton humbjen e parë Sigal Prishtinës

Trepça mposht Yllin në një sfidë dramatike, Bashkimi i shkakton humbjen e parë Sigal Prishtinës

Trepça shënoi fitore dramatike ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 67:65 (20:18, 10:22, 16:13, 21:12), në javën e katërt të ProCredit Superligës.

Çereku i parë ishte i paparashikueshëm e me shumë kthesa, e më pas vendasit kishin epërsi të lehtë, duke e fituar këtë pjesë 20:18. Periudha e dytë i takoi tërësisht mysafirëve, që kishin epërsi deri në 13 pikë, 27:40, kurse pjesa e parë përfundoi 30:40.

Edhe në periodën e tretë, therandasit ruajtën epërsinë, kurse me tre pikë në fund nga mitrovicasit, shifrat pas 30 minutash ishin 46:53.

Drama u zhvillua në dhjetë minutat e fundit, kur vendasit u rikthyen fuqishëm për të kaluar në epërsi 58:57, e më pas u zhvillua përballje shumë interesante, duke u vendosur në fund në Ja’cori Payne me dy pikë nga gjuajtjet e lira, tre sekonda nga fundi.

Ja’cori Payne kishte 18 pikë te vendasit, derisa Trevon Allen 24 te mysafirët.

Trepça ka dy fitore e dy humbje, kurse Golden Eagle Ylli një fitore e tri humbje.

Bashkimi, bindës në derbi

Ndërkohë, Bashkimi shënoi fitoren e katërt në ProCredit Superligë, duke ia shkaktuar humbjen e parë Sigal Prishtinës me rezultat 106:88 (22:19, 29:17, 27:30, 28:22), në derbin e kësaj xhiro.

Çereku i parë i ndeshjes ishte kryesisht i baraspeshuar, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në rezultat, duke përfunduar 22:19. Por, prizrenasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, duke u shkëputur minutë pas minute për të shkuar në pushim me shifrat 51:36.

Pjesa e dytë ishte shumë interesante në Prizren. Perioda e tretë u karakterizua me luftë për çdo top nga të dy skuadrat, duke përfunduar 27:30, kurse Portokallezinjtë e vulosën fitoren në dhjetë minutat e fundit, për të fituar 106:88.

Më i miri te Bashkimi ishte Kyan Anderson me 31 pikë e tetë asistime, kurse te Sigal Prishtina, Arian Azemi kishte 22 pikë e pesë asistime.

Kjo ishte fitorja e katërt për Bashkimin pas katër ndeshjeve, derisa humbja e parë për Sigal Prishtinën pas tri fitoreve.

Share This