Presidentja Osmani priti kryemyftiun Tërnava: “Toleranca ndërfetare, një nga vlerat më të çmuara të Kosovës”

Presidentja Osmani priti kryemyftiun Tërnava: “Toleranca ndërfetare, një nga vlerat më të çmuara të Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryemyftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava.

Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit u diskutua për angazhimin e BIK-ut në forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ruajtjen e traditës së tolerancës ndërfetare dhe domosdoshmërinë e kultivimit të mëtejshëm të saj.

Presidentja Osmani vlerësoi lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në promovimin e harmonisë ndërfetare, duke e cilësuar atë si një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë kosovare dhe një model të veçantë për rajonin.

Ajo theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe bashkësive fetare është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Në anën tjetër, kryemyftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame për të vazhduar kontributin në forcimin e harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve të vendit.

Share This