
19 të vrarë në Liban nga sulmet ajrore izraelite
Të paktën 19 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit. Mes viktimave janë tre fëmijë dhe tre gra, të cilët humbën jetën në një sulm të vetëm që goditi një shtëpi në qytetin Deir Qanoun.
Libani është përfshirë në konflikt që prej 2 marsit, kur grupi i armatosur shiit Hezbollah, i mbështetur nga Irani, lëshoi raketa ndaj Izraelit si hakmarrje për sulmet amerikano-izraelite që vranë udhëheqësin suprem të Iranit.
Pavarësisht marrëveshjes për zgjatjen e armëpushimit me 45 ditë, e arritur javën e kaluar me ndërmjetësimin e SHBA-së, përplasjet mes palëve kanë vazhduar, sidomos në jug të Libanit.
Izraeli thotë se synon objektivat e Hezbollahut, por shpesh viktima kanë qenë civilë, përfshirë gra e fëmijë. Nga ana tjetër, Hezbollahu ka lëshuar raketa dhe dronë drejt komuniteteve në veri të Izraelit dhe kundër trupave izraelite që ndodhen në pjesë të pushtuara të Libanit jugor. /rtsh/

