
Zyrtare: Ronaldo rinovon me Al-Nassr deri në vitin 2027
Cristiano Ronaldo do të vazhdojë aventurën e tij në Arabinë Saudite.
As-i portugez ka nënshkruar kontratën e re me klubin Al-Nassr, që do ta mbajë në radhët e skuadrës së Riadit deri në verën e vitit 2027.
Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi saudit, i cili të enjten publikoi një video në rrjetet sociale ku 40-vjeçari shfaqet duke thënë: “Al-Nassr, përgjithmonë”.
Ndërkohë, në përshkrimin e videos, klubi theksoi shkurt: “Historia vazhdon”, pa dhënë detaje shtesë për kontratën.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Ronaldo ka firmosur një marrëveshje të re dyvjeçare. Ai i është bashkuar Al-Nassr në janar të vitit 2023 dhe që atëherë ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke shënuar 35 gola në 41 paraqitje gjatë sezonit të fundit.
Me këtë rinovim, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” do të jetë pjesë e Al-Nassr deri në moshën 42-vjeçare.
Ronaldo më parë ka luajtur për disa nga klubet më të mëdha në Evropë: Sporting CP, Manchester United, Real Madrid dhe Juventus.

