Zjarret përfshijnë Spanjën dhe Francën, dhjetëra viktima dhe mijëra hektarë tokë të shkatërruar

Zjarret përfshijnë Spanjën dhe Francën, dhjetëra viktima dhe mijëra hektarë tokë të shkatërruar

Forcat zjarrfikëse të Spanjës kanë arritur të vënë nën kontroll zjarrin që përfshiu jugun e vendit dhe që ka shkaktuar të paktën 12 humbje jetësh. Mes viktimave dyshohet të jenë të paktën edhe shtetas britanikë, por procesi i identifikimit po kryhet me ritme të ngadalta për shkak të vështirësive në mbledhjen e kampionëve nga të afërmit e viktimave.

23 persona të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur. Shefi i Emergjencave Rajonale, Antonio Sanz, bëri të ditur se rreth 600 nga 1500 banorët e zonës së përfshirë nga flakët në provincën e Almerias ishin lejuar të ktheheshin në banesat e tyre, pasi ishte shënuar përparim në vënien nën kontroll të zjarrit.

Janë rreth 6600 hektarë tokë të shkatërruar nga ky zjarr.

Ndërkohë, Franca po përballet me valën e tretë të të nxehtit që nga muaji maj i këtij viti. Një e katërta e vendit, përfshirë edhe krahinën e Parisit, u vendos të shtunën në alarm të kuq për temperaturat tejet të larta.

Operatori i Kullës Eiffel njoftoi qytetarët dhe turistët se, për shkak të këtyre temperaturave, monumenti do të mbyllej të shtunën dhe të dielën në orën 4 të pasdites. Edhe Muzeu i Luvrit dhe ai i Orsej morën masa të ngjashme.

Organizatorët e garës çiklistike “Tur de Francë” njoftuan se etapa e së dielës, me gjatësi 185.5 kilometra, do të shkurtohej me 30 kilometra, duke hequr një segment kodrinor, për shkak të vapës së madhe. Ky është rasti i parë në historinë e garës që merret një vendim i tillë.

Shumë qytete kanë anuluar spektaklet me fishekzjarre të parashikuara për Ditën Kombëtare të Bastijës, më 14 korrik, për të parandaluar incidentet me zjarre, të cilat deri tani kanë shkatërruar dy herë më shumë sipërfaqe se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të shtunën thirrje për vigjilencë, duke paralajmëruar se nëntë nga dhjetë zjarre shkaktohen nga faktori njerëzor. /rtsh/

Share This