
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, koalicioni qeverisës kryeson në shumicën e komunave
Koalicioni qeverisës kryeson në shumicën e komunave në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka dalë në avantazh në 54 nga 81 komuna në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, me rreth 70% të votave të numëruara.
Blloku i drejtuar nga VMRO-DPMNE kryeson në shumicën e zonave, ndërsa Bashkimi Social Demokrat (SDSM) është në epërsi në nëntë komuna. VLEN, udhëheq në tetë komuna. Ndërkohë, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka dalë e para në pesë komuna, dhe Partia Demokratike Turke (TDP) ka fituar në një komunë.
Në komunën e Çairit, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, ka shpallur fitoren ndaj ish-ministrit Bujar Osmani.
Në Shkup, me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, VMRO-DPMNE kryeson me 41.23%.
Ndërkohë, në komunën e Qendër Zhupës, zgjedhjet janë anuluar për shkak të pjesëmarrjes më të ulët se një e treta e votuesve të regjistruar.
Pjesëmarrja në të gjithë vendin ishte 46.65%. Komunat ku asnjë kandidat nuk ka marrë më shumë se 50% të votave do të shkojnë në balotazh më 2 nëntor.
Ky ishte raundi i tetë i zgjedhjeve lokale që nga viti 1996. Në garë morën pjesë 10,490 kandidatë, përfshirë 309 për kryetar bashkie, ndërsa procesin e monitoruan 1,451 vëzhgues – 644 të huaj dhe 807 vendas, përfshirë përfaqësues nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë. /rtsh/


