SHBA, Ukrainës: Lëshoji Rusisë rajonin e Donbasit që të japim garancitë e sigurisë

SHBA, Ukrainës: Lëshoji Rusisë rajonin e Donbasit që të japim garancitë e sigurisë

SHBA-të kanë sinjalizuar se garancitë e sigurisë do t’i premtohen Ukrainës vetëm nëse ajo pranon t’i dorëzojë Rusisë territorin e Donbasit.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, bëhet e ditur se amerikanët ia kanë shprehur Volodymyr Zelenskyt se garancitë e sigurisë do të jepen vetëm nëse arrihet një marrëveshje që i jep Moskës kontrollin e të gjithë rajonit në Ukrainën lindore – një vijë e kuqe kjo për Kievin, raporton  Financial Times.

Gazeta shkruan më tej se administrata Trump do të sigurojë armë shtesë për të forcuar ushtrinë e Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje nëse Kievi tërheq forcat e tij nga rajoni.

Zelensky ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë tokë e pushtuar pa një referendum mbi territorin.

Zyrtarët evropianë dhe ukrainas e shohin qëndrimin e Uashingtonit si një përpjekje për të ushtruar presion mbi Kievin që të bjerë dakord për një marrëveshje.

Anna Kelly, zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, e përshkroi artikullin e “Financial Times” si “një gënjeshtër” dhe tha se Uashingtoni thjesht po kërkonte t’i sillte të dyja palët më pranë një marrëveshjeje.

Ajo sugjeroi që burimet që informuan gazetën po përpiqeshin të minonin procesin e paqes pas bisedimeve trepalëshe “historike” në Abu Dhabi.

Bisedimet u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe shënuan herën e parë që zyrtarë nga SHBA-ja, Rusia dhe Ukraina ishin ulur në të njëjtën dhomë për diskutime mbi paqen që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022. /rtsh/

Share This