
Zelensky dhe liderët e BE-së do të zhvillojnë një telefonatë me Trump, përpara takimit të tij me Putin
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët e BE-së do të zhvillojnë një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump, para takimit të tij me Putin. Liderët e BE-së synojnë të rrisin presionin mbi Presidentin e SHBA-së Donald Trump që të marrë anën e Ukrainës gjatë samitit të 15 gushtit, që do të zhvilloje me homologun e tij rus, Vladimir Putin në Alaska.
Në një telefonatë online me Trump, udhëheqësit pritet të përsërisin se asnjë vendim nuk duhet të merret pa Ukrainën, përfshirë ndryshimin e kufijve të saj me forcë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka thirrur takimin e së mërkurës dhe Zelensky po udhëton për në Berlin për t’u bashkuar me të në video-thirrjen me liderë të tjerë evropianë, përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, përpara telefonatës me Trump.
Zelensky më parë ka këmbëngulur se ukrainasit nuk do t’ia “dhurojnë tokën e tyre pushtuesit” dhe ka përmendur kushtetutën e vendit, e cila kërkon një referendum përpara një ndryshimi në territorin e tij.
Trump ka thënë se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë “një shkëmbim territoresh” dhe besohet se një nga kërkesat e Vladimir Putinit është që Kievi të dorëzojë pjesët e zonës lindore të Donbasit.
Donbasi, i përbërë nga rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut, është pushtuar pjesërisht nga Rusia që nga viti 2014. /rtsh/


