
OEK: Gjykata Komerciale pezullon sërish vendimin e ZRrE-së për tregun e lirë të energjisë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), të mërkurën, ka njoftuar për një tjetër aktvendim të Gjykatës Komerciale, e cila ka pezulluar zbatimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë për një tjetër kompani vendore.
Sipas OEK-ut, ky vendim i radhës konfirmon shqetësimet e komunitetit të biznesit dhe thekson nevojën për mbrojtje të interesave të ndërmarrjeve të prekura.
“Ky vendim është një sinjal i qartë për rëndësinë e mbrojtjes dhe respektimit të interesave të bizneseve që janë ndikuar drejtpërdrejt nga ky vendim. OEK-u ka qenë në vazhdimësi zë i shqetësimeve të komunitetit të biznesit, duke theksuar se mungesa e infrastrukturës, transparencës dhe përgatitjes për tregun e lirë të energjisë po rrezikon qëndrueshmërinë financiare dhe operacionale të shumë ndërmarrjeve vendore”, thuhet në njoftim.
OEK-u ka ripërsëritur thirrjen drejtuar ZRrE-së për anulimin e vendimit.
“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca, bizneset, qytetarët dhe ekonomia e vendit.”
Vendimi i Gjykatës vjen në vazhdën e reagimeve të ashpra nga bizneset dhe shoqëria civile, të cilat kanë kërkuar rishqyrtim të menjëhershëm të reformës në sektorin energjetik.


