Washington Post: Pentagoni planifikon të dërgojë trupa në Çikago

Washington Post: Pentagoni planifikon të dërgojë trupa në Çikago

Pentagoni ka hartuar plane të mundshme për vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në qytetin e Çikagos, pas kërkesave të presidentit Donald Trump për të ndërhyrë ndaj krimit, krizës së strehimit dhe imigracionit të paligjshëm.

Lajmi u raportua nga Washington Post, duke cituar burime të brendshme të njohura me çështjen.

Sipas gazetës, planet përfshijnë disa “opsione”, mes tyre edhe mundësinë e dislokimit të mijëra anëtarëve të Gardës Kombëtare, me vendimet përfundimtare që pritet të merren në javët në vijim, ndoshta në shtator.

“Çikago është një rrëmujë,” u shpreh Trump të premten, duke akuzuar kryebashkiakun demokrat dhe duke vazhduar sulmet ndaj zyrtarëve të zgjedhur në qytetet e drejtuara nga opozita.

“Dhe do ta zgjidhim këtë çështje atje, ndoshta menjëherë pas Uashingtonit.”

Ndërkohë, Pentagoni reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke mohuar se janë hartuar skenarë konkretë për operacione, por theksoi se planifikimi i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi me agjencitë partnere është pjesë e përgjegjësive të Departamentit të Mbrojtjes.

Guvernatori i Illinois-it, J.B. Pritzker, deklaroi se qeveria federale nuk e ka kontaktuar për ndihmë dhe nuk ka asnjë situatë emergjente që do të justifikonte vendosjen e forcave ushtarake në territorin e shtetit.

Ai akuzoi Trump për përpjekje për të prodhuar krizë artificiale dhe për të abuzuar me pushtetin për qëllime politike.

Shqetësim në Çikago për vendosjen e Gardës Kombëtare

Pas raportimeve se Pentagoni po shqyrton mundësinë e vendosjes së Gardës Kombëtare në Çikago, autoritetet lokale kanë shprehur shqetësim të thellë për pasojat që një vendim i tillë mund të sjellë për qytetin.

Kryetari i bashkisë së Çikagos, Brandon Johnson, e quajti vendosjen e mundshme të trupave “të paligjshme” dhe kritikoi ashpër qasjen e presidentit Donald Trump.

“Problemi me qasjen e presidentit është se ajo është e pakoordinuar, e panevojshme dhe e dobët”, deklaroi Johnson. Ai theksoi se, krahasuar me një vit më parë, në Çikago vrasjet janë ulur me mbi 30%, vjedhjet me 35% dhe incidentet e dhunshme me armë zjarri me afro 40%.

Një zëdhënës i Johnson nuk komentoi menjëherë për planet e raportuara nga Washington Post, të cilat përfshijnë mundësinë e dërgimit të mijëra anëtarëve të Gardës Kombëtare në qytet si pjesë e përpjekjeve të Trump për të goditur krimin dhe imigracionin e paligjshëm. /rtsh/

Share This