Vuçiq takohet me kancelarin gjerman Merz në Kopenhagë: Diskutuam për stabilitetin rajonal dhe dialogun

Vuçiq takohet me kancelarin gjerman Merz në Kopenhagë: Diskutuam për stabilitetin rajonal dhe dialogun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një “takim konstruktiv dhe shumë domethënës” me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Kopenhagë, ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian.

Vuçiq tha se me kancelarin gjerman ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë, bashkëpunimin ekonomik si dhe për çështjet që lidhen me stabilitetin rajonal.

“Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi pikat kryesore të agjendës së Samitit të Komunitetit Politik Europian dhe diskutuam tema prioritare si intensifikimi i dialogut dhe përpjekjet diplomatike të të gjithë aktorëve të rëndësishëm në skenën politike ndërkombëtare, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat aktuale”, ka thënë Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia e vlerëson shumë bashkëpunimin me Gjermaninë, duke u angazhuar për dialog të hapur dhe projekte të përbashkëta që, sipas tij, sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e të dy vendeve.

“Përsërita se një qasje e unifikuar dhe mbështetja e ndërsjellë mund të forcojnë më tej stabilitetin e rajonit dhe të përshpejtojnë reformat e nevojshme. Serbia mbetet e përkushtuar për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe për hapat konkretë që do të ndërmarrim për të përmirësuar partneritetin tonë”, ka shtuar Vuçiq.

Në këtë samit, ku janë mbledhur udhëheqësit e vendeve të Europës, Kosovën e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

Share This