
Vjosa Osmani takohet me të ngarkuarën e SHBA-së në Kosovë, theksohet rëndësia e bashkëpunimit dhe demokracisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ku u diskutuan zhvillimet aktuale politike në vend dhe çështje me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë bisedës u theksua rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku mendimet e ndryshme respektohen dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.
Presidentja Osmani theksoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës për të thelluar bashkëpunimin bilateral me SHBA, duke ritheksuar se aleanca mes dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.


