MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të shtetasit kosovar Mitehat Llozhani në Serbi

MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të shtetasit kosovar Mitehat Llozhani në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës ka njoftuar për arrestimin e shtetasit kosovar Mitehat Llozhani nga autoritetet serbe, duke kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar lidhur me këtë rast.

Sipas njoftimit për media, Llozhani është ndaluar nga autoritetet serbe menjëherë pas hyrjes në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë. MPJD thekson se, sapo është informuar për rastin, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme institucionale.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se, menjëherë pas marrjes së informacionit lidhur me arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Mitehat Llozhani, janë aktivizuar të gjitha mekanizmat institucionalë për trajtimin e rastit”, thuhet në komunikatë.

MPJD ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe informacione të tjera relevante mbi trajtimin e mëtejmë të shtetasit kosovar.

Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me synim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së Llozhanit.

Në njoftim thuhet gjithashtu se ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe, përmes Zyrës Ndërlidhëse, do të procedojë kërkesën zyrtare për lejimin e vizitës konsullore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur shqetësimin e saj për vazhdimin e praktikës së arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.

Share This