
Vetëvendosje akuzon Gjykatën Kushtetuese për tejkalim të kompetencave dhe shkelje të Kushtetutës
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si devijim të rrezikshëm nga roli i saj dhe ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit të Kosovës.
Sipas VV-së, Gjykata ka “tejkalur mandatin e saj” duke krijuar norma të reja juridike që nuk janë të parashikuara as në Kushtetutë e as në Rregulloren e Kuvendit. Si shembull, ata përmendin kufizimin e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi vetëm tri herë, të cilin e quajnë “shpikje arbitrare dhe pa asnjë bazë ligjore”.
“Kushtetutën e miraton dhe e ndërron Kuvendi ose referendumi popullor. Marrja e kësaj kompetence nga Gjykata është goditje e sistemit demokratik dhe cënim i rendit kushtetues,” thuhet në reagim.
VV ka theksuar se një vendim i tillë do të cenojë rëndë ndarjen e pushteteve dhe do të përbëjë precedent të rrezikshëm, duke e shndërruar Gjykatën në “organ jashtëkushtetues” dhe me “motive partiake”.
Sipas tyre, përfshirja e panevojshme e emrit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, në njoftimin e Gjykatës, tregon qëllim për etiketim politik.
Reagimi mbyllet me paralajmërimin se ky zhvillim rrezikon krijimin e një “pushteti juridik të pakontrolluar” që, në vend se të garantojë balancën e pushteteve, vetë mund të bëhet burim i kapjes institucionale.


